NJOFTIM PËR PRAKTIKAT E PRIVACISË

KY NJOFTIM PËRSHKRUAN SE SI MUND TË PËRDORET DHE TË NXIRRET INFORMACIONI JUAJ MJEKËSOR DHE SE SI MUND TË KESH AKSES NË KËTË INFORMACION.

JU LUTEMI, KONTROLLOJENI ME KUJDES.

Ne e respektojmë privacitetin e informacionit rreth shëndetit tuaj dhe jemi të angazhuar për të ruajtur konfidencialitetin e pacientëve tanë.  Ky Njoftim përshkruan të drejtat tuaja dhe detyrimet tona rreth informacionit mbi shëndetin tuaj dhe ju informon për përdorimet e nxjerrjet e mundshme të informacionit rreth shëndetit tuaj. Ky Njoftim zbatohet për të gjitha informacionet dhe regjistrimet që lidhen me kujdesin ndaj jush të cilat i kemi marrë ose i kemi krijuar.  Ai shtrihet deri tek informacioni që kemi marrë ose krijuar nga punonjësit, personeli dhe vullnetarët tanë, si edhe nga mjekët dhe praktikuesit e tjerë të kujdesit shëndetësor që praktikohen në Spital.

Në bazë të ligjit na kërkohet që të ruajmë privacitetin rreth informacionit tuaj shëndetësor; t’ju japim Njoftim të hollësishëm rreth detyrimeve tona ligjore dhe praktikave të privacisë që lidhen me informacionin e shëndetit tuaj; dhe t’u përmbahemi kushteve të Njoftimit që janë fuqi.

I. ME LEJEN TUAJ MUND TË PËRDORIM DHE TË NXJERRIM INFORMACIONIN RRETH SHËNDETIT TUAJ QË LIDHEN ME TRAJTIMIN, PAGESËN DHE OPERACIONET E KUJDESIT SHËNDETËSOR

Mund të përdorim dhe të nxjerrim informacionin rreth shëndetit tuaj për qëllime të trajtimit, pagesën dhe operacionet e kujdesit shëndetësor siç shpjegohet më poshtë.

Për trajtim. Do të përdorim e nxjerrim informacionin rreth shëndetit tuaj lidhur me trajtimin, shërbimet dhe koordinimin e kujdesit që ju është ofruar. Informacioni rreth shëndetit tuaj mund të përdoret nga mjekët dhe infermierët, si edhe nga laborantët, dietologët, mjekët terapistë, radiologët ose çdo pjesëtar i personelit i përfshirë në kujdesin tuaj. Për shembull, farmacistët e spitalit do të kenë nevojë për disa informacione për të plotësuar një recetë të urdhëruar nga mjeku juaj. Gjithashtu mund t’u japim informacione rreth shëndetit individëve ose strukturave që do të përfshihen në kujdesin për shëndetin tuaj pasi të dilni nga Spitali.

Për pagesën. Do të nxjerrim informacion rreth shëndetit tuaj me qëllim që të faturojmë dhe të marrim pagesën për trajtimin dhe shërbimet që merrni. Për qëllimet e faturimit dhe të pagesës, mund t’u japim informacione rreth shëndetit tuaj përfaqësuesit tuaj, një kompanie sigurimi ose që administron kujdesin shëndetësor, Medicare, Medicaid ose ndonjë pale të tretë paguese. Për shembull, mund të kontaktojmë Medicare ose planin tuaj shëndetësor për të konfirmuar mbulimin tuaj ose për të kërkuar aprovim paraprak për një trajtim ose shërbim të propozuar.

Për operacionet e kujdesit shëndetësor.  Mund të përdorim dhe të nxjerrim informacionin rreth shëndetit tuaj shëndetësor sipas nevojës për operacionet spitalore, të tilla si për qëllime administrimi dhe për të monitoruar cilësinë e kujdesit tonë. Për shembull, informacioni shëndetësor i shumë pacientëve mund të grupohet dhe të analizohet për qëllime të tilla si vlerësimi dhe përmirësimi i cilësisë së kujdesit dhe për planifikimin e shërbimeve.  Informacioni shëndetësor përdoret për të vlerësuar punonjësit tanë dhe për të rishikuar kualifikimet dhe praktikat e mjekëve si dhe të praktikantëve të tjerë në Spital.

Gjithashtu, mund të përdorim dhe nxjerrim informacionin shëndetësor për qëllime edukimi dhe trajnimi.

Përveç kësaj, mund të përdorim një fletë regjistrimi në banakun e regjistrimit ku mund t’ju kërkohet të firmosni përbri emrit tuaj dhe të tregoni mjekun ose personin që ju ka dhënë shërbimin shëndetësor.  Gjithashtu, mund t’ju thërrasim me emër në sallën e pritjes kur mjeku juaj të jetë gati për t’ju vizituar.  Mund të përdorim ose nxjerrim informacionin e mbrojtur rreth shëndetit tuaj, sipas nevojës, për t’ju kontaktuar që t’ju rikujtojmë për takimin që keni marrë.

II. GJITHASHTU, MUND TË PËRDORIM DHE NXJERRIM INFORMACIONIN TUAJ SHËNDETËSOR PËR QËLLIME SPECIFIKE.

Më poshtë renditen mënyrat e ndryshme në të cilat mund të përdorim ose nxjerrim informacionin rreth shëndetit tuaj.

Drejtoria e Spitalit. Nëse nuk keni kundërshtim, ose jeni Pacient i Shëndetit të Sjelljes, do të përfshijmë disa informacione të kufizuara rreth jush në drejtorinë tonë ndërsa jeni pacient.  Ky informacion mund të përfshijë emrin tuaj, vendndodhjen në Spital, gjendjen tuaj të përgjithshme dhe përkatësinë fetare. Drejtoria jonë nuk përfshin informacion mjekësor specifik rreth jush. Mund t’u japim informacionin e drejtorisë, me përjashtim të përkatësisë fetare, personave që pyesin për ju me emër. Mund t’i japim informacionin e drejtorisë, duke përfshirë edhe përkatësinë tuaj fetare, çdo anëtari të klerit.

Afishimi i informacionit të pacientit. Nëse nuk keni kundërshtim, do t’i japim emrin, mjekun, numrin e dhomës dhe çdo informacion tjetër që lidhet me to, Këshillit të Afishimit të Pacientit që ndodhet në Dhomën e Urgjencës ose në zonën e pacientit ku jeni pranuar. Afishimi i Informacionit të Pacientit nuk do të përfshijë informacionin tuaj mjekësor specifik.

Individë të përfshirë kujdesin tuaj ose që paguajnë për kujdesin tuaj. Nëse nuk keni kundërshtim, mund t’i japim informacione për shëndetin tuaj një pjesëtari të familjes, një miku të ngushtë ose një personi që identifikoni ju, duke përfshirë edhe klerin, që përfshihet në kujdesin tuaj. Këto nxjerrje informacioni kufizohen në informacionin që ka të bëjë me përfshirjen e personit në kujdesin tuaj ose në kryerjen e pagesës për kujdesin tuaj.

Ndihmë në rast katastrofash. Mund t’i japim informacion rreth shëndetit tuaj një organizate që ndihmon në dhënien e ndihmës në raste katastrofash.

Emergjencat.   Mund të përdorim ose japim informacion rreth shëndetit tuaj sipas nevojës në situatat e trajtimit të emergjencave. Do të përpiqemi të marrim autorizim nga ju ose nga përfaqësuesi juaj sa më shpejt të jetë e mundur.

Pengesat në komunikim.  Mund të përdorim dhe të japim informacionin e mbrojtur rreth shëndetit tuaj nëse mjeku juaj ose ndonjë mjek tjetër praktikant përpiqet të marrë leje nga ju por nuk është në gjendje ta bëjë këtë për shkak të pengesave të mëdha në komunikim, dhe mjeku përcakton, duke përdorur gjykim të arsyeshëm, se ju keni ndërmend të lejoni përdorimin ose nxjerrjen e informacionit në këto rrethana.

Sipas ligjit. Mund të nxjerrim informacionin rreth shëndetit tuaj kur ligji e kërkon këtë.

Aktivitete të Shëndetit Publik. Mund të nxjerrim informacionin rreth shëndetit tuaj për aktivitete të shëndetit publik. Këto aktivitete mund të përfshijnë, për shembull

  • raportimin para një autoriteti të shëndetit publik ose autoriteti tjetër qeveritar me qëllim parandalimin ose kontrollin e sëmundjes, dëmtimit ose paaftësisë, raportimin e abuzimit ose lënien pas dore të fëmijëve, raportimin e lindjeve ose vdekjeve;
  • raportimin para Administratës për Ushqimin dhe Ilaçet (FDA) çështje që lidhen me probleme që kanë të bëjnë produkte dhe tërheqje produktesh, etj, ose
  • për të njoftuar dikë që mund të ketë qenë i ekspozuar ndaj një sëmundjeje ose gjendet nën rrezikun e përhapjes së një sëmundjeje ngjitëse, nëse autorizohet nga ligji.

Raportimi i viktimave të abuzimit, lënies pas dore ose dhunës familjare. Nëse besojmë se keni qenë viktimë e abuzimit, lënies pas dore ose e dhunës familjare, mund të përdorim dhe nxjerrim informacionin rreth shëndetit tuaj për të informuar autoritetet qeveritare, nëse autorizohemi ose urdhërohemi nga ligji ose nëse jeni dakord për ta raportuar. Në rastet e abuzimit me fëmijët ose të lënies pas dore do t’u japim informacionin rreth shëndetit tuaj autoriteteve qeveritare.

Aktivitetet e Mbikëqyrjes së Shëndetit           Mund t’u japim informacionin rreth shëndetit tuaj agjencive të mbikëqyrjes së shëndetit për aktivitetet e autorizuara nga ligji. Këto mund të përfshijnë, për shembull, kontrollet Medicare, hetime, inspektime nga Departamenti Shtetëror i Shëndetit dhe veprime licencimi ose procedura të tjera ligjore.

Procedura ligjore.  Mund të nxjerrim informacione rreth shëndetit tuaj si përgjigje ndaj një vendimi gjykate ose ndaj një vendimi administrativ. Mund të nxjerrim informacione si përgjigje ndaj një fletëthirrjeje për gjyq, kërkesë zbulimi, ose procese të tjera të ligjshme; do të bëhen përpjekje për t’ju kontaktuar lidhur me kërkesën ose për të marrë një vendim ose marrëveshje që e mbron informacionin.

Zbatim i ligjit. Mund të nxjerrim informacione rreth shëndetit tuaj me qëllim zbatimin e disa ligjeve, që përfshijnë, për shembull, plotësimin e kërkesave për raportim ose raportimin e emergjencave ose vdekjeve të dyshimta; bindjen ndaj një urdhri gjykate, fletë arresti, ose procese ligjore të ngjashme; për të identifikuar ose gjetur një person të dyshimtë ose që ka humbur; ose për t’u përgjigjur disa kërkesave për informacion që lidhen me krime.

Kërkim.  Informacioni rreth shëndetit tuaj mund të përdoret për qëllime kërkimi, por vetëm nëse aspektet konfidenciale të kërkimit të jenë rishikuar dhe aprovuar nga një Këshill Rishikimi Institucional që ka rishikuar kërkimin e propozuar dhe ka përcaktuar protokollet për të siguruar privacitetin e informacionit të mbrojtur të shëndetit.

Hetues, Ekzaminues Mjekësorë, Drejtorë Funeralesh, Organizata të Organeve të Furnizimit.  Mund t’u japim informacionin tuaj shëndetësor një hetuesi, ekzaminuesi mjekësor, drejtori funeralesh ose, nëse jeni një dhurues organesh, mund t’ia japim një organizate që është përfshirë në dhurimin e organeve dhe indeve.

Për të shmangur një kërcënim serioz ndaj shëndetit ose sigurisë. Kur është e nevojshme për të parandaluar një kërcënim serioz për shëndetin ose sigurinë tuaj ose për shëndetin ose sigurinë publike ose të ndonjë personi tjetër, mund të përdorim ose të japim informacione shëndetësore, duke e kufizuar informacionin për dikë që është në gjendje të ndihmojë me zvogëlimin ose parandalimin e kërcënimit.

Aktiviteti ushtarak dhe siguria kombëtare:  Kur është e përshtatshme, mund të përdorim ose japim informacionin e mbrojtur shëndetësor individëve që janë personel i Forcave të Armatosura (1) për aktivitete që konsiderohen të nevojshme nga autoritetet e duhura ushtarake: (2) për qëllim përcaktimi nga Departamenti i Çështjeve të Veteranëve i drejtës suaj për përfitim, ose (3) autoriteteve të huaja ushtarake nëse jeni pjesëtar i atyre shërbimeve të huaja ushtarake.  Mund t’u japim informacionin e tuaj të mbrojtur shëndetësor zyrtarëve të autorizuar federalë për kryerjen e aktiviteteve të sigurisë kombëtare dhe të inteligjencës, duke përfshirë edhe masat për shërbimet mbrojtëse të Presidentit ose të të tjerëve të autorizuar me ligj.

Kompensimi i punëtorëve.  Mund të përdorim ose të japim informacionin mbi shëndetin tuaj për t’u përputhur me ligjet që lidhen me kompensimin e punëtorëve ose me programe të ngjashme.

Të burgosur/Ruajtja në zbatim të ligjit. Nëse jeni një i burgosur në një institut korrektimi ose nën ruajtje në zbatim të ligjit nga ana e një zyrtari, mund t’i japim informacionin shëndetësor institutit ose zyrtarit për disa qëllime që përfshijnë shëndetin dhe sigurinë tuaj dhe të të tjerëve.

Aktivitete për mbledhjen e fondeve. Mund të përdorim disa informacione për t’ju kontaktuar në përpjekje për të mbledhur para’ për Spitalin. Ky informacion është i kufizuar për: informacionin demografik, që përfshin emrin, adresën, informacione të tjera kontakti, moshën, gjininë dhe datën e lindjes; datën e marrjes së trajtimit ose të shërbimit; informacion për repartin e spitalit që ju dha shërbimin; cili mjek ju trajtoi; informacion për rezultatet dhe statusi i sigurimit tuaj shëndetësor.  Gjithashtu, mund të nxjerrim informacionin e kontaktit për qëllimin e mbledhjes së fondeve ndaj një fondacioni të lidhur me Spitalin.  Ju lutemi të mbani parasysh se keni të drejtën të mos merrni komunikim rreth mbledhjes së fondeve.

Përkujtues për takimin. Mund të përdorim ose të japim informacione për t’ju kujtuar rreth takimeve.

III. KËRKOHET AUTORIZIMI JUAJ PËR PËRDORIME TË TJERA TË INFORMACIONIT MBI SHËNDETIN

Me përjashtim të rasteve që përshkruhen në Njoftim, do të përdorim dhe do të nxjerrim informacionin mbi shëndetin tuaj vetëm me Autorizimin tuaj me shkrim.  Ndërkohë që Leja juaj e përgjithshme na lejon të përdorim dhe japim informacionin tuaj shëndetësor për trajtim, për pagesat dhe për operacionet e kujdesit shëndetësor, një Autorizim duhet të specifikojë përdorime të tjera specifike ose nxjerrje informacioni që ju mund të lejoni. Ju lutemi të vini re se përdorimi që bëjmë ose nxjerrja e informacionit për shëndetin tuaj që ka të bëjë me shënimet e psikoterapisë (nëse përdorim këto shënime), për qëllime marketingu dhe për shitjen e informacionit tuaj shëndetësor në përgjithësi kërkojnë autorizimin tuaj.  Ju mund të tërhiqni një Autorizim për të përdorur ose nxjerrë informacionin e shëndetit, me shkrim, në çdo rast. Nëse tërhiqni një Autorizim, ne nuk do të përdorim ose japim informacionin tuaj shëndetësor për qëllimet e mbuluara nga ai Autorizim, me përjashtim të rasteve kur tashmë jemi bazuar tek ai Autorizim.

IV. TË DREJTAT TUAJA LIDHUR ME INFORMACIONIN RRETH SHËNDETIT TUAJ

Keni të drejtë për të drejtat vijuese lidhur me informacionin rreth shëndetit tuaj në Spital:

E drejta për të kërkuar kufizime. Keni të drejtë të kërkoni kufizime për përdorimin ose nxjerrjen që i bëjmë informacionit rreth shëndetit tuaj për trajtimin, pagesën ose operacionet e kujdesit shëndetësor.   Keni gjithashtu të drejtën të kërkoni kufizime ndaj informacionit tuaj shëndetësor që i japim një pjesëtari të familjes, një miku ose personi që përfshihet në kujdesin tuaj ose që paguan për kujdesin tuaj.

Në përgjithësi, nuk na kërkohet që të pajtohemi me kërkesën tuaj për kufizim, me përjashtim të faktit që keni të drejtë të kërkoni që të mbajmë informacionin shëndetësor nga një plan shëndeti për qëllime pagese ose për operacione të kujdesit shëndetësor (nëse nxjerrja e informacionit kërkohet nga ligji - si p.sh. për Medicaid) dhe t’ju paraqesim juve pagesën e plotë për artikujt ose shërbimet që nuk dëshironi t’i bëhen të ditura planit shëndetësor dhe kushteve të tjera specifike, ne do ta respektojmë atë kërkesë.  Nëse biem dakord të pranojmë kërkesën tuaj për kufizim, do ta përmbushim atë kërkesë me përjashtim të rasteve kur duhet t’ju japim trajtim emergjence.

E drejta për akses në informacionin shëndetësor personal. Keni të drejtën për të inspektuar dhe marrë një kopje (që përfshin kopje dixhitale dhe elektronike nëse disponohet) të regjistrimeve tuaja mjekësore ose të faturimit ose të çdo informacioni tjetër të shkruar që mund të përdoret për të marrë vendime rreth kujdesit tuaj, i cili i nënshtrohet disa përjashtimeve të kufizuara.  Në shumicën e rasteve mund të faturojmë një tarifë të arsyeshme për kostot e kopjimit dhe postimit të informacionit të kërkuar.

Mund të refuzojmë kërkesën tuaj për të inspektuar ose marrë kopje në disa rrethana të kufizuara.  Nëse ju refuzohet aksesi në informacionin shëndetësor, në disa raste do të keni të drejtën të kërkoni rishikimin e refuzimit. Një profesionist i licencuar i kujdesit shëndetësor i caktuar nga Spitali, i cili nuk ka marrë pjesë në vendimin e refuzimit, do të kryejë rishikimin.

E drejta për të kërkuar ndryshim.  Ju keni të drejtë për të kërkuar ndryshimin e informacionit mbi shëndetin tuaj që ruhet nga Spitali për sa kohë informacioni mbahet nga ose për Spitalin.   Kërkesa juaj duhet bërë me shkrim dhe duhet tregojë arsyen përse kërkohet ndryshimi.

Ne mund të refuzojmë kërkesën tuaj për ndryshim nëse informacioni (a) nuk ishte krijuar nga Spitali, në rast se burimi i informacionit nuk është më i disponueshëm për t’iu përgjigjur kërkesës suaj; (b) nuk është pjesë e informacionit shëndetësor që ruhet nga Spitali; (c) nuk është pjesë e informacionit ndaj të cilit keni të drejtë për akses; ose (d) tashmë është i saktë e i plotësuar, siç përcaktohet nga Spitali.

Nëse refuzojmë kërkesën tuaj për ndryshim, do t’ju dërgojmë një refuzim me shkrim duke përfshirë edhe arsyet e refuzimit dhe të drejtën për të paraqitur një deklaratë mospajtimi me refuzimin.

E drejta për një Verifikim ndaj Nxjerrjes së të Dhënave. Keni të drejtën që të kërkoni një “verifikim” rreth nxjerrjes së disa të dhënave të informacionit mbi shëndetin tuaj  Kjo është një listë me nxjerrje të dhënash e bërë nga Spitali ose nga të tjerët për dobinë tuaj, por nuk përfshin zbulimin e trajtimit, pagesën dhe operacionet e kujdesit shëndetësor ose disa përjashtime të tjera.

Për të kërkuar verifikimin e nxjerrjes së të dhënave, duhet të paraqitni një kërkesë me shkrim, ku të përcaktohet një periudhë kohore që fillon pas 13 prillit 2003, që do të thotë brenda gjashtë vitesh nga data e kërkesës suaj. Verifikimi do të përfshijë, nëse kërkohet:  datën e nxjerrjes; emrin e personit ose entitetin që e mori informacionin dhe adresën, nëse dihet; një përshkrim të shkurtër të informacionit të zbuluar; dhe një deklaratë e shkurtër lidhur me qëllimin e nxjerrjes së të dhënave ose një kopje të autorizimit ose kërkesës ose njëfarë informacioni përmbledhës lidhur me zbulime të shumëfishta. Verifikimi i parë i bërë brenda një periudhe 12-mujore do të jetë pa pagesë; për kërkesa të tjera mund të aplikojmë kostot tona.

E drejta për t’u Njoftuar për një Dhunim që Lidhet me Informacionin Tuaj Shëndetësor të Pasigurt. Ju keni të drejtë të njoftoheni në rast se ka një dhunim të dhënash që lidhen me informacionin e pasigurt shëndetësor rreth jush. Në raste të tilla, do t’ju njoftojmë dhe do t’ju japim më shumë informacion.

E drejta për të Fotokopjuar këtë Njoftim. Keni të drejtë të bëni një fotokopje të këtij Njoftimi, edhe nëse keni qenë dakord për ta marrë këtë Njoftim elektronikisht.  Mund të kërkoni një kopje të këtij Njoftimi në çdo kohë. Përveç kësaj, mund të merrni një kopje të këtij njoftimi nga websiti ynë www.waterburyhospital.org.

E drejta për të Kërkuar Komunikim Konfidencial.  Keni të drejtë të kërkoni që t’ju komunikojmë lidhur me çështjet rreth shëndetit tuaj në ndonjë mënyrë ose në një vend të caktuar. Për shembull, mund të kërkoni që t’ju kontaktojmë tek një numër telefoni ose adresë e caktuar. Do t’u përgjigjemi kërkesave tuaja të arsyeshme.

 

V. RREGULLA TË VEÇANTA LIDHUR ME NXJERRJEN E INFORMACIONIT LIDHUR ME SHËNDETIN E SJELLJES, ABUZIMIT ME SUBSTANCAT DHE HIV-in

Për nxjerrje që përfshijnë informacionin shëndetësor që lidhet me kujdesin ndaj gjendjes psikiatrike, abuzimit me substancat ose testimin dhe trajtimin e HIV-it, mund të zbatohen kufizime të veçanta. Për shembull, zakonisht ne nuk e nxjerrim informacionin veçanërisht të mbrojtur si përgjigje ndaj një fletëthirrjeje gjyqi, urdhër arresti ose ndaj proceseve të tjera ligjore nëse nuk firmosni një Autorizim të veçantë ose nëse një gjykatë nuk e urdhëron nxjerrjen.

  • Informacion psikiatrik (Shëndeti i Sjelljes). Nëse nevojitet për diagnostikimet ose trajtimet tona në një program të shëndetit mendor, informacioni psikiatrik mund të nxirret bazuar në Lejen tuaj të përgjithshme dhe informacioni shumë i kufizuar mund të nxirret për qëllime pagese. Përndryshe, informacioni psikiatrik mund të mos nxirret pa Lejen speciale ose Autorizimin përveç rasteve specifike kur lejohet nga ligji i shtetit.
  • Informacion rreth HIV-it. Informacioni rreth HIV-it mund të nxirret bazuar në Lejen tuaj special për qëllim trajtimi ose pagese, por Leja ose Autorizimi juaj special do të jetë i nevojshëm për nxjerrje të tjera përveç rasteve kur lejohet nga ligji i shtetit.
  • Trajtimi i abuzimit me substancat. Nëse po trajtoheni sipas një programi të specializuar rreth abuzimit me substancat, Leja ose Autorizimi juaj special do të nevojitet për shumicën e nxjerrjes së informacionit, pa përfshirë emergjencat, disa kërkesa për raportim dhe nxjerrje të tjera që veçanërisht lejohen nën ligji federal.

VI. ANKESAT

Nëse besoni se ju janë shkelur të drejtat e privacisë, mund të paraqitni një ankesë me shkrim pranë Spitalit ose Zyrës për të Drejtat Civile në Departamentin e Shëndetit dhe Shërbimet Njerëzore të SHBA.  Për të paraqitur një ankesë pranë spitalit, kontakto Zyrën e Privacitetit në numrin 203-573-7053.

Nuk do të penalizoheni ngaqë keni paraqitur një ankesë.

VII. NDRYSHIME TË KËTIJ NJOFTIMI

Rezervojmë të drejtën për ta ndryshuar këtë njoftim. Rezervojmë të drejtën për ta bërë njoftimin e ndryshuar ose të rishikuar efektiv për informacionin mjekësor që tashmë kemi rreth jush, si edhe për çdo informacion që do të marrim në të ardhmen. Do të postojmë një kopje të njoftimit aktual në spital.  Njoftimi do të përmbajë në faqen e parë, në cepin lart në të djathtë, datën efektive. Përveç kësaj, çdo herë që regjistroheni ose pranoheni në spital për trajtim ose kujdes shëndetësor si i shtruar ose ambulant, do t’ju ofrojmë një kopje të njoftimit aktual në fuqi.

VIII.  DATA EFEKTIVE

Ky Njoftim hyn në fuqi më 23 shtator 2013.

IX. PËR INFORMACION TË MËTEJSHËM

Nëse keni ndonjë pyetje rreth këtij Njoftimi ose do të dëshironit informacion të mëtejshëm lidhur me të drejtat tuaja të privacisë, ju lutemi të kontaktoni Zyrën e Privacisë në numrin 203-573-7053.